Bypass-i i Elbasanit, ARRSH hap dy tendera me fond limit mbi 56 mln euro
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur dy procedura prokurimi për ndërtimin e bypass-it të Elbasanit, me një fond limit total mbi 56 milionë euro.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur dy tendera për ndërtimin e rrugës lidhëse Tiranë–Elbasan me Korridorin VIII, projekt që lidhet me realizimin e bypass-it të Elbasanit dhe synon përmirësimin e lidhjes mes kryeqytetit dhe juglindjes së vendit.
Procedurat e prokurimit janë ndarë në dy faza. Tenderi i parë, me objekt “Ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me Korridorin VIII, Faza 1”, ka një fond limit prej 3.3 miliardë lekësh. Ndërsa procedura e dytë, “Ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me Korridorin VIII, Faza II”, ka një fond limit prej 2.5 miliardë lekësh.
Në total, fondi për lotin e parë të projektit arrin mbi 56 milionë euro.
Synohet lehtësimi i trafikut dhe lidhja me Korridorin VIII
Sipas dokumenteve të tenderit, projekti synon të përmirësojë lidhjen mes Tiranës dhe Elbasanit, duke forcuar njëkohësisht integrimin me Korridorin VIII, që konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme ndërkombëtare në rajon.
Segmenti rrugor do të ndjekë kryesisht gjurmën e bypass-it të parashikuar në Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Elbasan, me disa devijime të vogla për të përmbushur standardet teknike të një autostrade ndërurbane të kategorisë “A”.
Rruga nis në zonën e Bradasheshit, aty ku përfundon autostrada Tiranë–Elbasan, dhe vijon në drejtim jugperëndimor të qytetit. Sipas ARRSH-së, terreni përgjatë segmentit është kryesisht fushor, me lartësi që variojnë nga 100 deri në 150 metra mbi nivelin e detit.
Segmenti do të ketë gjatësi 4.2 kilometra
Projekti parashikon ndërtimin e një segmenti me gjatësi totale prej 4.2 kilometrash. Dokumentet teknike theksojnë se janë marrë në konsideratë kushtet hidrologjike, gjeologjike dhe urbanistike të zonës, me synimin për të garantuar siguri dhe qëndrueshmëri të lartë të infrastrukturës.
ARRSH vlerëson se bypass-i i Elbasanit do të ndihmojë në reduktimin e trafikut në qendër të qytetit, në shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe në përmirësimin e sigurisë rrugore për qytetarët dhe bizneset.